Barometri 2025: 50 për qind e bizneseve në Shqipëri japin ryshfet në administratë
Gjysma e bizneseve në Shqipëri e konsiderojnë ryshfetin një pjesë normale të marrëdhënieve me administratën publike në vitin 2025, duke shënuar një përkeqësim të fortë krahasuar me një vit më parë.
Rritje e ndjeshme e perceptimit për ryshfetin në vetëm një vit
Sipas të dhënave të fundit të Barometrit të Ballkanit 2025, ryshfeti që bizneset paguajnë ndaj administratës publike është rritur ndjeshëm. Në vitin 2024, rreth 41 për qind e bizneseve shqiptare shpreheshin se “priren të pajtohen” ose ishin “plotësisht dakord” me pohimin se pagesat apo dhuratat shtesë janë të zakonshme për të mbaruar punët me zyrtarët. Në vitin 2025, kjo përqindje ka arritur në 50 për qind, me një rritje prej 9 pikë përqindje brenda vetëm një viti.
Ky ndryshim tregon një normalizim gjithnjë e më të madh të ryshfetit në perceptimin e bizneseve, pavarësisht se një pjesë e konsiderueshme e shërbimeve publike janë zhvendosur drejt platformave online.
Dobësohet rezistenca ndaj normalizimit të korrupsionit
Të dhënat tregojnë se në vitin 2024 një pjesë më e madhe e bizneseve shpreheshin hapur kundërshtuese ndaj idesë se ryshfeti është i zakonshëm. Në vitin 2025, pesha e atyre që deklarojnë se “nuk janë aspak dakord” ose që “priren të mos jenë dakord” ka rënë ndjeshëm, duke sinjalizuar se rezistenca ndaj kësaj praktike po dobësohet.
Anketa e Barometrit 2025 konfirmon se klima e perceptuar e korrupsionit në marrëdhëniet mes biznesit dhe administratës në Shqipëri është përkeqësuar, me gjithnjë e më shumë subjekte që e shohin pagesën e ryshfetit si pjesë të funksionimit të sistemit.
Krahasimi me rajonin: Shqipëria mbi mesataren
Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria shfaq një përkeqësim më të theksuar nga viti 2024 në 2025. Në nivel rajonal, përqindja e bizneseve që “priren të pajtohen” ose janë “plotësisht dakord” se ryshfeti është i zakonshëm është rritur nga rreth 41 për qind në 47 për qind, një rritje prej afro 6 pikë përqindje. Në Shqipëri, kjo rritje është më e fortë, me 9 pikë përqindje.
Bosnja dhe Hercegovina kryeson rajonin me 67 për qind të bizneseve që perceptojnë ryshfetin si mekanizëm të zakonshëm në marrëdhëniet me administratën, e ndjekur nga Mali i Zi me 59 për qind dhe Shqipëria me 50 për qind. Niveli më i ulët i perceptimit raportohet në Serbi, me rreth 30 për qind.
Barra administrative dhe paqartësia rregullatore si nxitës
Sipas analizës së Barometrit, rritja e perceptimit për ryshfetin në Shqipëri lidhet ngushtë me barrën administrative dhe paqartësinë rregullatore. Procedurat e gjata, ndryshimet e shpeshta ligjore dhe interpretimi jo i unifikuar i rregullave krijojnë hapësira për negocim informal, ku pagesat e parregullta shihen si mënyrë për të përshpejtuar apo garantuar zgjidhje.
Bizneset që operojnë në mënyrë formale ndihen shpesh më të ekspozuara ndaj inspektimeve dhe gjobave, ndërkohë që informaliteti perceptohet si i toleruar në mënyrë selektive, duke thelluar ndjesinë e pabarazisë dhe duke nxitur më tej normalizimin e ryshfetit.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






